Ish-zv.ministri Zef Çuni është zgjuar sot me “mesazhe papastërtie” për qytetin, duke tentuar të krijojë një perceptim të shtrembëruar për Shkodrën, ndryshe nga realiteti që qytetarët dhe turistët shohin çdo ditë.
Redaksia e Shkodra Press e ka ndjekur me shqetësim pretendimin e tij për një qytet të papastër pas përfundimit të aktivitetit sportiv 3×3 Basketball, të zhvilluar në qendër të qytetit. Por e vërteta është krejtësisht ndryshe nga ajo që ai përpiqet të propagandojë në rrjetet sociale.
Aktiviteti përfundoi në orët e vona të mbrëmjes, dhe që në orën 08:00 të mëngjesit, kompania e pastrimit ishte në terren për të sistemuar çdo hapësirë publike. Përkundër kësaj, z. Çuni zgjodhi të publikojë disa pamje me 2-3 shishe të lëna nga tifozët, duke vepruar më shumë si “paparac” sesa si qytetar i angazhuar për Shkodrën.
Ndoshta do të kishte qenë më qytetare që vetë z. Çuni t’i hiqte ato mbetje, apo të paktën të njoftonte institucionet përkatëse – në vend që të ndotë imazhin e qytetit në rrjetet sociale në këtë sezon turistik.
Në të vërtetë, qëllimi i tij duket më shumë personal: të shfaqet si “opozitë e zhurmshme” ndaj çdo nisme pozitive dhe çdo promovimi të Shkodrës. Ky lloj veprimi nuk ndihmon qytetin, por synon vetëm të bëjë jehonë për egon personale të tij.
Shkodra këtë vit është një epiqendër e turizmit – rrugët e saj janë të mbushura me vizitorë nga e gjithë bota. Ky është momenti për të dhënë shembullin më të mirë të qytetarisë dhe për të kontribuar me vepra, jo për të shpërndarë negativitet.