Që Vllaznia është krenaria e Shkodrës, nuk ka as më të voglin dyshim për asnjë banor të qytetit tonë – dhe jo vetëm. Një emër i shenjtë për futbollin shqiptar, i ndërtuar me sakrificë e pasion nga breza të tërë legjendash në 106 vite histori.
Por sot… Vllazni, po m’thuj si je?! Si robi shpis, tu lujt në Elbasan!
Kjo metaforë i shkon për shtat realitetit të hidhur të kuqebluve, skuadrës që ka ngritur lart flamurin e futbollit shqiptar edhe në Europë, por që sot, për shkak të një egoje të tepruar e të sëmurë të disa drejtuesve të klubit, është larguar nga sytë dhe zemrat e tifozëve shkodranë. Stadiumi “Loro Boriçi” është braktisur dhe Vllaznia është dëbuar në Elbasan, larg qytetit që e rriti dhe i dha identitet.
Klubi pretendon se dokumentet janë dorëzuar në kohë. Por, zëra zyrtarë nga UEFA, në një konferencë për shtyp, kanë deklaruar se afati i dorëzimit të dokumentacionit për stadiumet e liçensuara është data 22 qershor. Në këtë kontekst, lindin natyrshëm disa pyetje që sot i dëgjon në çdo tavolinë në Shkodër:
Pse gjithë ky ngut nga Alban Xhaferi & Co?
Çfarë fshihet pas vendimit për të çuar Vllazninë në Elbasan?
A po përdoret emri i Vllaznisë për interesa personale?
Këto pyetje po përplasen gjithnjë e më fort, jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe në opinionin publik lokal, që e bën klubin fajtor për një situatë të pakuptimtë që po turpëron Shkodrën në ekranet kombëtare. Aty ku dikur Shkodra ishte burim humori dhe kulture, sot po shndërrohet në objekt barcaletash për shkak të paaftësisë dhe arrogancës.
Shkodra Press disponon dokumentacionin e plotë: korrespondencën zyrtare të klubit me Bashkinë Shkodër, detyrimet e papaguara të Vllaznisë për përdorimin e stadiumit “Loro Boriçi”, si dhe kontratën e vitit 2022 ku klubi ka firmosur se do të paguajë për mirëmbajtjen e impiantit.
Megjithëse jemi ende në kohë për të reflektuar dhe për ta ndryshuar vendimin, klubi po hesht dhe po shtyn përpara një narrativë të rreme që fsheh të vërtetën.
Redaksia e Shkodra Press ka zgjedhur që ende të mos publikojë këto dokumente, të cilat ndodhen edhe në duart e organeve të drejtësisë. Por, ndoshta ka ardhur koha që kutia e “Pandorës” të hapet që shkodranët të dinë se çfarë po ndodh me klubin e tyre, dhe si po shpërdorohen ngjyrat kuqeblu për interesa që nuk kanë të bëjnë as me futbollin dhe as me qytetin.