Kryeministri Edi Rama pritet të mërkurën në orën 19:00 që të zyrtarizojë listën përfundimtare me kandidatët për deputetë, që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Burime pranë Partisë Socialiste konfirmojnë se selia rozë do të mbledhë kryesinë për të marrë miratimin e listave për 12 qarqet e vendit.
E mërkura e 12 marsit deri në mesnatë është gjithashtu afati përfundimtar për depozitimin në KQZ të listave të kandidatëve për deputetë.
Mbetet për t’u konfirmuar numri i deputetëve që pritet të mos e gjejnë veten në listën e kandidatëve.
Mbasditen e së martës, disa kryetarë bashkish dorëzuan mandatin vendor me synimin për një ulëse në parlamentin e ardhshëm: kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo; kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi dhe homologu i tij në qytetin e Matit, Agron Malaj.