14 Mar 2025, Fri

Projekti për hyrjen e Shkodrës, aksion për shembjen e 10 objekteve të shpronësuara

Këtë të hënë, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) u rikthye sërish në Shkodër, ku nisi aksionin për prishjen e 10 objekteve të shpronësuara në kuadër të projektit të rikualifikimit të hyrjes së qytetit të Shkodrës.

Forca të shumta të IKMT-së dhe të policisë u vendosën në hyrje të qytetit, por nuk pati asnjë lloj reagimi nga pronarët e subjekteve.

Drejtori i IKMT-së Shkodër, Emiljano Nika, ndërsa foli për aksionin e prishjes së ndërtimeve, tha se paralelisht po vijon edhe aksioni për pastrimin e liqenit dhe të shtratit të lumit Buna.

Kanë përfunduar të gjitha procedurat e shpronësimit dhe sot rifillojmë punën për prishjen e të gjitha objekteve, të cilat bëhen pengesë për realizimin e projektit të rikualifikimit të hyrjes së qytetit dhe bregut perëndimor të liqenit të Shkodrës. Janë 10 subjekte të shpronësuara për të cilat do të fillojë puna për prishjen e tyre sot. Po punohet në dy frone njëkohësisht dhe puna do të zgjasë për disa ditë derisa të largohen të gjitha platformat në liqenin e Shkodrës dhe në lumin Buna,” tha Emiljano Nika, drejtor i IKMT-së Shkodër.

Sipas vendimit pronarët e objekteve me leje, do të kompensohen përkatësisht mbi 4 milionë euro, që do të përballohet nga buxheti i shtetit.

Projekti me vlerë 4,7 milionë euro synon ta transformojë hyrjen e qytetit të Shkodrës, si dhe të bëjë një rikualifikim të bregut perëndimor të liqenit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *