14 Mar 2025, Fri

Program i ri punësimi në Shkodër, Zmijani: Synohet trajnimi i punëkërkuesve

Një program i ri punësimi në sektorin e shërbimit, përfshirë bare, restorante dhe kuzhinë, është duke u zbatuar nga Zyra Rajonale e Punësimit (ZRP) në Shkodër në bashkëpunim me Qendrën e Formimit Profesional.

Ky program, që aplikohet për herë të parë në këtë qytet, synon trajnimin e punëkërkuesve pranë subjekteve të biznesit dhe më pas punësimin e tyre në këto njësi.

Ky është një program i cili bëhet për herë të parë në Shkodër. ‘Të nxënët në vendin e punës’ është një program i cili konsiston në një periudhë formimi 4 deri 4 muaj e gjysmë në dy lloje kursesh, por formimi bëhet në vendin e punës te subjekti me qendrat e punësimit, që kanë edhe kurrikulat përkatëse. Më pas punësimi bëhet te i njëjti subjekt,” tregon Rozafa Zmijani, drejtoreshë e ZRP-së Shkodër.

Sipas drejtoreshës Zmijani ka një interes të shtuar, veçanërisht nga të rinjtë, për t’u përfshirë në programe të tilla punësimi.

Aktualisht kemi rreth 96 veta të regjistruar për herë të parë në garancinë rinore, vetëm gjatë muajit janar dhe shkurt, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të marrë një punësim ose një formim,” thotë znj. Zmijani.

Të dhënat zyrtare tregojnë se në bashkinë e Shkodrës janë të regjistruar rreth 3.200 punëkërkues të papunë, ndërsa shifra reale mund të jetë edhe më e lartë.

Në panairin “Work and Study”, të organizuar pak ditë më parë në Shkodër, Zyra Rajonale e Punës ofroi rreth 500 vende të lira pune, kryesisht në subjekte prodhuese, që kanë paraqitur vendet e tyre të lira në portalin zyrtar puna.gov.al.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *