Bashkimi Europian miraton këtë të martë (25 mars) Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një iniciativë që synon mbështetje financiare për zhvillimin ekonomik të rajonit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë vendet e para që do të përfitojnë nga fondet e këtij plani, për realizimin e reformave të nevojshme për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë zhvillim si një tregues të avancimit të shpejtë të Shqipërisë në rrugën e integrimit europian, duke theksuar se këto fonde do të përdoren gradualisht për realizimin e projekteve dhe përmbushjen e kushteve të parashikuara.
“Shpejtësia në planin e financimit do të thotë përmbushje e detyrave dhe programit të dakordësuar për ecurinë e mëtejshme të vendit në rrugën e anëtarësimit dhe bëhet fjalë për 64.5 milionë euro që vijnë drejtpërdrejt nga BE për Shqipërinë. 30 mln euro janë për buxhetin e shtetit si mbështetje për reformat dhe 34 mln euro kalojnë për Fondit të Investimeve të Ballkanit për infrastrukturën. Kështu që besoj se është tjetër shenjë e qartë e faktit se jemi duke ecur me shpejtësi sipas ritmit të përcaktuar për t’u anëtarësuar në BE”, tha Rama.
Gjatë rubrikës së tij “Sy m’Sy”, Rama theksoi se ky plan është një mundësi e jashtëzakonshme për vendin dhe se anëtarësimi në BE është një garanci për paqen dhe sigurinë e rajonit. Ai nënvizoi se zgjedhjet e 11 majit do të jenë një moment gjeopolitik i rëndësishëm për Shqipërinë, ku vota duhet të konfirmojë angazhimin për një të ardhme europiane.
“Popujt e Europës janë në një mendje që qenia në Bashkimin Europian është garanci për paqe dhe siguri. Sot ne BE na duhet më shumë se kurrë dhe ne i duhemi më shumë se kurrë Bashkimit Europian. Është një domosdoshmëri. PS është vendi të kutia nr 5, vendi për të hedhur votën, jo për t’u bërë të gjithë socialist, por për Bashkimin Europian. Të vazhdojë puna pa asnjë lëkundje nga impakti i votës. PS gjendet në vendin dhe kohën e duhur siç gjendej PD në vitet ’91 dhe ’92 ku një shumicë dërrmuese ja dha votën për të konfirmuar një ndarje nga e shkuara dhe një përqafim të së ardhmes. E njëjta gjë duhet të ndodhë më 11 maj ku duhet masivisht me votën te kutia të konfirmohet ndarja përfundimtare me historinë e të lënit prapa dere, e të qenurit popull i dorës së dytë”, tha Rama.
Po ashtu, Rama ka njoftuar takime me diasporën shqiptare në Greqi, fillimisht në Kretë dhe më pas në Athinë, ku do të takohet me emigrantët shqiptarë dhe do të diskutojë mbi rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhjet e 11 majit.
“Do të kemi takimin e parë në Hania, një ndër qytetet më të mëdha të Kretës, ku jeton prej shumë vitesh një komunitet i madh shqiptar. Në fakt, prej shumë vitesh në të gjithë Kretën jetojnë 35-45 mijë shqiptarë, sipas shifrave zyrtare, të cilët kanë një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të këtij ishulli, që është një destinacion kryesor turistik për Greqinë. Takimi në Hania do të zhvillohet në një pallat sporti, ku do të marrin pjesë shumë shqiptarë, do të takohemi dhe me përfaqësues të shoqatave shqiptare aty, pa asnjë dallim të majtë apo të djathtë sepse në fund të fundit, kjo është për ta një vizitë historike që për herë të parë një kryeministër shqiptar shkon t’i takojë. Kjo është në 29 pasdite në orën 18:00. Më pas do të kemi një takim tjetër me bashkatdhetarë që jetojnë në Athinë. Greqia është e dyta pas Italisë për numrin më të madh të emigrantëve të regjistruar për të votuar në 11 maj. Dy javë më pas, kthehemi në Itali për të pasur një takim. Kemi përzgjedhur një pikë afër Milanos sepse ajo është pika që i bashkon të gjithë”, tha Rama.