15 Jun 2025, Sun

Rruga që lidh Dragoçin me Kullajn drejt përfundimit, banorët e vlerësojnë investimin

Rruga 1.6 km e gjatë që lidh fshatrat Dragoç dhe Kullaj në Njësinë Administrative Postribë po i afrohet përfundimit, duke zgjidhur një problematikë 20-vjeçare për banorët e zonës. Ky investim i Bashkisë Shkodër është ndër më të prekshmit për komunitetin, i cili ka vuajtur prej vitesh nga mungesa e infrastrukturës së duhur rrugore.
Banorët shprehen se investimi është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës dhe e konsiderojnë një ndërhyrje të nevojshme për këtë zonë, e cila për një kohë të gjatë ka qenë e lënë pas dore.
Administratori i Njësisë Administrative Postribë, Avenir Çela, theksoi se ky investim është rezultat i kërkesave të komunitetit dhe vëmendjes së kryebashkiakut Benet Beci ndaj Postribës. Ai shtoi se, pavarësisht protestës së disa banorëve të Kullajt për gjerësinë e rrugës, kushtet teknike nuk lejojnë zgjerimin e saj në këtë fazë, por kërkesat e tyre do të adresohen në një investim të dytë për zonën.
Ky projekt është pjesë e një pakete më të gjerë investimesh që përfshin rikonstruksionin e 24 rrugëve rurale dhe urbane në territorin e Bashkisë Shkodër, me fokus në rehabilitimin e segmenteve që kanë qenë të neglizhuara prej vitesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *